Çfarë kuptojmë me përmbajtje të edukatës familjare?



Prindi e në përgjithësi familja duhet të dijë e ta ketë të qartë se çfarë duhet të edukojë tek fëmijët e vet. Prindi që ka një ose më shumë fëmijë dëshiron t’i edukojë, por cila është përmbajtja e kësaj edukate që do të transmetojë tek brezi i ri?
Këtë po e sqarojmë me një shembull nga puna e shkollës. Sapo fëmija hyn në klasën e parë, detyra fillestare është të mësojë këndim e shkrim. Me abetare në dorë, pas shumë përpjekjesh të mësuesit, të prindit dhe të vetat arrin të mësojë të lexojë e të shkruaj, merr elementet e para të njohurive nga aritmetika, nga natyra e kështu me radhë. Po në shtëpi, kur është pa u futur në shkollë, në ç’fusha duhet të edukohet? Duhet ta kemi të qartë se shtëpia nuk është shkollë në kuptimin konkret të fjalës. Ndërsa shkolla punon në mënyrë sistematike me plane mësimore, me programe, me tekste të posaçme për çdo lëndë e për çdo klasë, pra, nëse mund të shprehemi kështu, bukën e madhe të sofrës së diturisë ajo e ndan në copa të mëdha për çdo klasë, pastaj në rriska për çdo lëndë e më në fund në kafshata herë të vogla e herë më të mëdha aq sa nxënësi mund t’i kapërdijë për çdo orë mësimi, familja nuk ndjek këtë rregullsi sistematike të shkollës, ajo punon në mënyrë më të natyrshme, pa zyrtarizëm, në mënyrë të drejtpërdrejtë me fëmijën, madje në mënyrë më të kujdesshme. Nëna e sheh fëmijën orë e çast dhe e kupton fort mirë se ku i dhëmb dhe si mund t’ia largojë të keqen. Megjithëkëtë çdo prind duhet ta ketë të qartë se çfarë duhet të edukojë, ku duhet të arrijë, cila është përmbajtja e punës edukative që duhet të bëjë me fëmijët e vet, pra cila është përmbajtja e edukatës në familje, cilat janë ato pjesë të asaj buke të madhe që shtrohet në sofrën e edukatës familjare.

Pjesë përbërëse të edukatës familjare janë: edukata fizike, mendore, morale, estetike dhe edukata e punës. Të gjitha këto marrin vlera më të mëdha, kur kanë në themel të tyre idealet e larta të fesë, kur synojnë përgatitjen e thellë shpirtërore për t’iu bindur urdhrave të Allahut xh.sh. dhe mësimeve të traditës pejgamberike dhe kur stërviten për të vepruar në bazë të tyre. Kështu ditë për ditë njeriu që në fëmijëri mësohet që veprimet e thjeshta e në dukje të vogla t’i kthejë në adhurime dhe vlerësime për Krijuesin Plotfuqishëm.


http://drita-islame.org/di2/cms/index.php/revista-mainmenu-29/revista-2007-mainmenu-40/54-edukata-familjare-ii

About Admin

This is a short description in the author block about the author. You edit it by entering text in the "Biographical Info" field in the user admin panel.

0 yorum :

Post a Comment